Shtator,kredia jep shenja gjallërimi.

TV Scan

Renato Hysenllari

Lajme

News/Banka-Brenda-F

Shtator, kredia jep shenja gjallërimi

Vjeshta ka nisur me lajme të mira për kreditimin e ekonomisë. Pas tre muajsh radhazi rënie, gjatë muajit Shtator portofoli iu kredisë për ekonominë u rrit me mbi pesë miliardë lekë. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, totali i kredisë për ekonominë arriti në 557.2 miliardë lekë. Gjithsesi, ritmet e rritjes vjetore të kreditimit ngelen të ulëta dhe në fund të Shtatorit ishin në nivelin 5.5%. Pavarësisht nga kjo, rikthimi i rritjes së kreditimit është sinjal pozitiv, sidomos po të kemi parasysh se këtë herë ishte i shpërndarë, si në segmentin e bizneseve, ashtu edhe në atë të individëve.

Totali i kredisë për biznesin gjatë Shtatorit u rrit me afro 4 miliardë lekë, ndërsa kredia për individët me pak më shumë se një miliard lekë. Në veçanti, kredia për indivdë njohu rritjen e parë që nga muaji Mars i këtij, pavarësisht se me bazë vjetore vazhdon të jetë në rënie. Pas rritjes së shpejtë gjatë muajve të verës, depozitat bankare në Shtator njohën një rritje modeste me rreth 300 milionë lekë. Totali i depozitave arriti në 930.3 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 8.4%. Pas muajsh të tërë që ekonomia shqiptare po priret drejt kursimit, të dhënat e muajit Shtator rrisin shpresat se aktiviteti i ndërmjetësimit financiar do të jetë më i orientuar në kreditim.

Vazhdimi i kreditimit të ekonomisë në këtë periudhë krize është jetik për të ruajtur rritjen ekonomike, por edhe për të ruajtur një sistem bankar të fortë dhe të shëndetshëm.

Renato Hysenllari

Shpërndaje në Facebook
Shpërndaje në Twitter